image

Hyrje në Ndërtimin e Paqes

Kategori: Thirrje të hapura
Organizatat: Centar za nenasilnu akciju , Mirovna akcija , Action for Nonviolence and Peacebuilding
Etiketat:

Trajnimi i cili është përpara nesh mbështetet në përvojën e organizatave QAP(CNA), ANP dhe Aksioni Paqësor, të cilat në mënyra të ndryshme punojnë në ndërtimin e paqes në hapësirat e ish Jugosllavisë, kjo na ndihmoi shumë në koncipimin e punëtorive. Idea rreth trajnimit Hyrje në Ndërtimin e Paqes lindi nga nevoja për t’iu kushtuar vëmendje të posaçme konteksteve të Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe për krijimin e hapësirave për njoftim, për shembjen e paragjykimeve, dhe për vendosjen e një baze për bashkëpunim të mëtutjeshëm për ndërtimin e paqes pavarësisht barrierave gjuhësore. Ju ftojmë që bashkarisht të mendojmë se çfarë mund të bëjmë që shoqëritë në të cilat jetojmë t’i bëjmë më pak të dhunshme dhe më pak të ndara. Ju ftojmë që ndryshimet shoqërore ti fillojmë prej vetëvetes.

Me pjesëmarrjen në trajnim fitoni mundësinë që të mësoni se si të dalloni problemet kyçe politike dhe sociale në shoqërinë tuaj, të merrni ide dhe frymëzim se si të kyçeni në mënyrë aktive në zgjidhjen e tyre. Gjithashtu, fitoni mundësinë që të merrni pjesë në shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve me pjesëmarrës nga vendet fqinje, si dhe me bashkëqytetarët tuaj nga grupe të ndryshme etnike, e me këtë të bëni hapin e parë drejt zvoglimit të distancës mes nesh.

Si duket trajnimi Hyrje në Ndërtimin e Paqes? Puna në trajnim nuk do të thotë të ulemi dhe të dëgjojmë ligjeratat e tjerëve. Nuk është mundësi për pranim pasiv të njohurive dhe fitim të shkathtësive, e as tubim për të mbushur biografinë. Ky nuk është vend për të fituar reçeta magjike e as mësim modelesh të cilat vetëm duhet të zbatohen.

Trajnimi është vend dhe hapësirë për këmbim, reflektim dhe vetëreflektim, shqyrtim kritik, mospajtime vlerash dhe ideshë, ushtrim i dialogut me njerëz me të cilët nuk pajtoheni. Është rast që të punojmë me vetëveten me qëllim që të kontribuojmë për ndryshime në nivel shoqëror.

Bëhet fjalë për një program intenziv nëntë ditor i cili kërkon impenjim dhe nivel të lartë motivimi nga ana e pjesëmarrësve/eve dhe gatishmërinë e tyre që në mënyrë aktive të marrin pjesë në procesin e punës. Çdo ditë është e ndarë në dy blloqe pune/punëtori, në mëngjes dhe pasdite, me kohëzgjatje prej 3,5 orë. Ekipi trajnues është i përbërë nga 5 persona dhe ka për detyrë të përgatisë dhe të udhëheqë punëtoritë. Por, nga gatishmëria e grupit për të folur hapur rreth përjetimeve dhe bindjeve personale varet cilësia përfundimtare e trajnimit.

Lexoni më shumë