image

Për të Ardhmen që Duam, një axhendë që premton

Kategori: Blogu

Etiketat:

Ky vit shënon 75 vjetorin e Kombeve të Bashkuara. Një përvjetor i tillë, kaq i rëndësishëm, nuk është vetëm një rast për të reflektuar mbi të kaluarën dhe për të vlerësuar se ku kemi arritur, por, gjithashtu, të mendojmë se kah jemi orientuar ndërsa ecim përpara. Kjo është arsyeja pse # UN75 ka nisur  një diskutim global për rolin e bashkëpunimit në ndërtimin e së ardhmes që duam dhe ndryshimin që na nevojitet. Nga përvoja gati një shekullore e Kombeve të Bashkuara në ofrimin e ndihmës shoqërive të shkatërruara nga konflikti, ne kemi mësuar se mirëbesimi është një gurthemel për paqen, respektin reciprok dhe, bashkërisht, për ndërtimin e së ardhmes tonë të përbashkët.

 

Të motivuar nga e njejta dëshirë për ndryshim pozitiv, gati dy vite më parë, Forumi i Kombeve të Bashkuara  për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë zhvilloi një udhërrëfyes të guximshëm për të tejkaluar kufijtë e mosbesimit për një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Ky udhërrëfyes - agjenda e ndërtimit të mirëbesimit - që pasqyron aspiratat e përbashkëta të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, vazhdon të japë rezultate.

 

Me  atë rast,  më shumë se 120 pjesëmarrës nga një fushë e gjerë ndër-sektoriale e shoqërisë kosovare u mblodhën në Lubjanë ku dhe u dakorduan  për 135 rekomandime për ndërtimin e  mirëbesimit në Kosovë, mbi 200 individë, institucione dhe organizata kanë ndërmarrë më shumë se 300 inciativa për të sforcuar themelet e një paqeje të vërtetë dhe një shoqërie të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe stabile.

 

Njëra nga konkluzat e dala nga Forumi ishte se ekziston nevoja për shkëmbime të ngjashme që sjellin në një vend pikëpamjet e ndryshme në mënyrë konstruktive dhe të orientuara drejt zgjedhjes. Të udhëhequr nga axhenda për ndërtimin e mirëbesimit, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese me mbështetjen e UNMIK-ut organizoi një seri me tetë debate të hapura  televizive për t’iu mundësuar komuniteteve  lokale të diskutojnë tema jetike për shoqërinë, përfshirë këtu  pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje politike, tolerancën fetare dhe prioritetet e rinisë.

 

Një tjetër shembull, mbi dhjetë rekomandime të Forumit adresojnë problemin e gjuhës, si dhe sfidave dhe mundësive që burojnë duke vepruar  në një  ambient shumë-etnik dhe të larmishëm në kontekstin gjuhësor. Axhenda e ndërtimit të mirëbesimit po punon për të adresuar këtë çështje duke i bërë bashkë njerëzit përmes mësimit të gjuhëve. Për herë të parë në 30 vitet e fundit ekspertët e gjuhëve nga Beogradi dhe Prishtina po punojnë së bashku në fjalorin më të madh shqip-serbisht dhe serbisht-shqip, të vënë në dispozicion në internet. Nga kjo arritje e radhës drejt ndërtimit të mirëbesimit, më shumë se 32,500 njerëz tani rregullisht përfitojnë nga aplikacioni i ri VocUp për mësimin e gjuhëve.

 

Agjenda e ndërtimit të mirëbesimit është gjithashtu një kornizë e dobishme për nxitjen e përpjekjeve ekzistuese për të mbështetur gratë dhe të rinjtë, në mesin e grupeve të tjera. Për shembull, Dita e Hapur Globale e organizuar çdo vit në Kosovë ofron një hapësirë unike që të dëgjiohet zëri i grave dhe thekson rëndësinë e pjesëmarrjes kuptimplote të grave nën axhendën  Gratë, Paqja dhe Siguria. Duke prioritizuar çështjet që prekin gratë në Kosovë, vitin e kaluar një koalicion i gjerë partnerësh ndërkombëtarë dhe vendorë punuan së bashku për të inauguruar strehimoren e parë multietnike për të mbijetuarat e dhunës gjinore në Novobërdë dhe zonat përreth. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm në luftën për të eleminuar dhunën gjinore në Kosovë - një parakusht themelor për të siguruar mjedis të sigurt në të cilin të gjithë njerëzit mund të realizojnë potencialin e tyre të plotë

 

Një tjetër kampion i ndërtimit të besimit, Task Forca e Rinisë së Bashkuar, ka demonstruar rolin e fuqishëm e të të rinjve duke depërtuar tek komunitetet e ndryshme për të promovuar bashkëpunimin multietnik përmes krijimtarisë, vizionit dhe miqësisë.

 

Këto arritje janë vetëm disa nga përpjekjet e shumëta e të përditshme , shumë shpesh të padukshme, për t’a vazhduar tutje  axhendën e ndërtimit të besimit në Kosovë. Platforma e Ndërtimit të Mirëbesimit në Kosovë është një produkt si dhe një mekanizëm i rëndësishëm i kësaj axhende. E konceptuar nga pjesëmarrësit e forumit dhe e  fuqizuar nga kampionët lokalë për të shkëmbyer informacione, për të promovuar bashkëpunim, për të shmangur duplikimin, për të çuar përpara zbatimin e rekomandimeve dhe për krijimin e mirëbesimit. Platforma shërben si një burim i vetëm  informatash mbi iniciativat e ndërtimit të mirëbesimit në Kosovë. Ajo siguron dukshmëri dhe njohje të merituar atyre ideve, individëve dhe institucioneve, të cilët me veprimet e tyre, si publike ashtu edhe të heshtura, punojnë në rikthimin e  mirëbesimit të ndërsjellë.

 

Platforma e Ndërtimit të Mirëbesimit në Kosovë sjell pranë jush idetë dhe iniciativat, individët dhe institucionet që mund të realizojnë këtë përparim. Ju ftoj të merrni përsipër rekomandimet, të frymëzoheni  nga puna e kampionëve tuaj, të përfitoni nga burimet e paraqitura në platformë dhe të çoni përpara axhendën e ndërtimit të mirëbesimit në komunitetin tuaj. Për të ardhmen që e duam, le të ndërtojmë së bashku mirëbesimin që na nevojitet.