image

Kafshët e braktisura: Një problem urban që bashkon aktivistët

Kategori: Blogu
Organizatat: Community Building Mitrovica
Etiketat:


“Qyteti i ndarë” shpesh herë në publik është sinonim i Mitrovicës. Nëse i referohemi këtij sinonim, mund të themi gjithashtu se sfidat me të cilat përballen qytetarët në anën jugore dhe veriore të lumit Ibër janë të ndryshme. Megjithatë, nuk është kështu. Mitrovica veriore dhe jugore e kanë të përbashkët problemin e kafshëve të braktisura në rrugë tash e sa vite. Si i bashkoi ky “problem” dy veprimtarë, qytetarë të Mitrovicës dhe mbi të gjitha kafshëdashës? Vesna Generalović dhe Ismet Rukeci, i njohur si Dok, ndanë rrëfimet e tyre në mbrëmjen "Storytelling" të organizuar nga Community Building Mitrovica (CBM).


Duke iu përgjigjur pyetjes se a kanë kërkuar ndihmë nga përfaqësuesit e komunës për çështjen e ndihmës së kafshëve të braktisura, Vesna është përgjigjur:


"Qentë në rrugë janë një problem i ndërlikuar në të gjithë Ballkanin, jo vetëm në Kosovë. Ballkani është një strehë e madhe e kafshëve. Kafshët e braktisura janë në gjendje të mjerueshme. Përveç faktit që janë të uritur dhe të etur, ju e dini gjithashtu se ndodhin edhe helmimet dhe vrasjet e kafshëve.Kemi rritje të rasteve të ngacmimit të kafshëve të braktisura dhe nuk kemi zgjidhje.Numri është vazhdimisht në rritje.Si individ nuk mund ta zgjidhësh problemin dhe as të kesh ndikim në komunë. është e nevojshme të përfshihen më shumë njerëz - përfaqësues të shoqërisë, inspektimit veterinar dhe adhurues të kafshëve."


Pikërisht këtë po përpiqen të bëjnë Vesna dhe Ismeti. Ismeti kujdeset dhe ushqen më shumë se 60 qen të braktisur në rrugët e Mitrovicës Jugore, ndërsa Vesna në veri.


“I vetmi veteriner në Mitrovicën e Veriut tashmë është në pension dhe nuk mund të ofrojë më përkujdesje adekuate për kafshët kur rastet janë më të komplikuara, siç janë operacionet, veterineri në anën jugore është më afër nesh dhe ne bashkëpunojmë me të kur diçka është urgjente. Shumica prej nesh nuk kemi veturë dhe duhet t'i transportojmë kafshët në klinikën veterinare në anën jugore. Kështu ka nisur bashkëpunimi me Dokun”, tha Vesna.


"Ai ka një makinë dhe është i lirë 24 orë në ditë për çdo qen në nevojë. Ai lë çfarëdo që të bëjë në atë moment - 'Dok eja, ne kemi nevojë për transport... Dok shko atje, merr qenin, ktheje këtu. ...'"


Bashkëpunimi është i ndërsjellë, kështu që “nëse një qen nga jugu ka nevojë për ndihmë, dhe ne (nga veriu p.sh.) kemi me vete hapa kundër parazitëve, ne themi: Dok eja merre”, shpjegon Vesna.


"Për mua nuk është punë. Është dashuri. Gjithçka për kafshët", shtoi Ismeti (Dok).


Dashuria për kafshët është motivuese për ta, dhe për dëgjuesit e zakonshëm mund të duket e pabesueshme.


"Dashuria ime për qentë është e përzemërt. Unë mundohem t'i ndihmoj ata dhe çdo gjë që fitoj e përdor për t'u kujdesur për qentë dhe për t'i ushqyer ata. Ndonjëherë nuk kam para as për kafenë sepse kam shpenzuar të gjitha paratë për qentë”, thotë Ismeti, i cili ka 35 vite që kujdeset për kafshët e braktisura.


Ai përpiqet ta bëjë atë në mënyrë të padukshme, në orët e hershme të mëngjesit:


"Kështu që askush të mos shqetësohet për atë që unë bëj".


Lufta për “gjënë e duhur” ka kapërcyer dallimet, të cilat në fakt janë të pakta.


"Njerëzit që bëjnë diçka të bukur nuk mendojnë për kombësinë dhe gjuhën që flasin. Ata kanë një qëllim të madh dhe të pastër - të ndihmojnë dikë. Në këtë rast, kafshët. Ne nuk jemi të përfshirë në politikë. Të gjithë me siguri kemi disa pikëpamje në lidhje me politikën, partitë, problemet komunale, por kur është fjala për këtë - të gjithë jemi një”, ka shpjeguar Vesna.


“Njerëzit dalëngadalë filluan të kuptojnë punën dhe qëllimin tonë dhe filluan të japin kontributin e tyre”, shtoi Ismeti.


Në fund, Vesna kishte një mesazh për të gjithë ata që jetojnë në Mitrovicë dhe për të cilët qentë e braktisur janë “kalimtarë të përhershëm”:


"Kafshët e braktisura nuk duhen keqtrajtuar, vrarë, por duhet gjetur një zgjidhje njerëzore - si për veriun ashtu edhe për jugun. Të gjithë duhet të punojmë për të rritur ndërgjegjësimin se kafshët në rrugë janë pjesë e shoqërisë sonë dhe se njerëzit janë të vetmit ata që duhet të fajësohen për braktisjen e tyre”.