image

Si më sheh mua? Si te shoh ty?

Kategori: Blogu
Organizatat: DokuFest
Etiketat:


Në kohën e lajmeve të rreme, titujve të mediave tabloide, të kombinuara me gjuhën e urrejtjes, si e shohim njëri-tjetrin? Ndoshta gabim. Pika e kthesës mund të bëhet nga të rinjtë dhe kontaktet e tyre të drejtpërdrejta përmes temave si kultura, arti, filmat, të drejtat e njeriut...


Ekspozita multimediale, kampe, vizita në Beograd, Krushevc, Prizren dhe biseda - kjo është vetëm një pjesë e asaj në të cilën janë përfshirë të rinjtë nga Serbia dhe Kosova* përmes projektit "Si të shoh ty?". Shumë më e rëndësishme është përvoja që ata mbajnë me vete.


Projekti "Si të shoh ty?" pasoi një bashkëpunim afatgjatë mes DokuFest dhe Festivalit të Filmit Zonë e Lirë (Fondi B92).


“Nuk është vetëm dialogu ai që mund të heqë barrierat mes nesh”, tha për www.kosovotrustbuilding.com , koordinatorja e projektit të DokuFest, Zana Arapi.


“Është më e lehtë të flasësh për tema të vështira përmes artit dhe filmave”, shton ajo.



Kjo është arsyeja pse qëllimi kryesor i projektit është shkëmbimi ndërkulturor i të rinjve nga Kosova* dhe Serbia, i cili po zbatohet nga partnerët nga Beogradi dhe Prizreni që nga viti 2020.


Edhe pse një pjesë e aktiviteteve u zhvilluan online për shkak të pandemisë, kampi i parë ndërkulturor u organizua në Beograd dhe Krushevc në qershor.


"Gjatë kampit, ne pamë se sa shumë kontakt fizik nevojitet për t’i kuptuar gjërat më mirë - është një gjë kur flet në internet, por qasja është krejtësisht e ndryshme kur takon dikë personalisht. Dhe e gjithë ngjarja shkoi shumë mirë," shtoi Arapi. 


"Pritshmëria e takimeve të drejtpërdrejta mund t'i ketë bërë ato takime një përvojë të paharrueshme. Ata tregojnë se sa shumë kanë mësuar për njëri-tjetrin gjatë të gjitha takimeve dhe udhëtimeve. Të rinjtë nga Kosova* veçanërisht theksojnë se tani kanë një pikëpamje tjetër për njerëzit nga Serbia, dhe anasjelltas, të rinjtë nga Serbia thonë të njëjtën gjë për moshatarët e tyre nga Kosova*”, shton Koordinatorja e programit Zonë e Lirë Junior, Olivera Randjic.


Gjatë kampit, pjesëmarrësit regjistruan video të cilat u përpunuan dhe publikuan si pjesë e një ekspozite në edicionin e 20-të të DokuFest, në Prizren, në gusht, dhe më pas, me ndryshime shtesë, materiali u publikua si pjesë e një ekspozite të mbajtur së fundi në Beograd.


“Përveç videove dy minutëshe që bënë për veten dhe mënyrën se si e shohin njëri-tjetrin, ata i zbuluan njëri-tjetrit edhe jetën kulturore të komuniteteve nga vijnë, muzikën, librat, filmat…” – shtoi ajo.


Të rinjtë u takuan edhe në ekspozita.


"Brezat e rinj kanë më pak paragjykime. Ishte shumë interesante, sepse brezat e rinj (serbët, koment i autorit) nuk e dinë p.sh. si tingëllon fare gjuha shqipe" - rrëfen Zana Arapi një pjesë të përshtypjeve nga takimet e drejtpërdrejta me të rinjët.


Rreth 40 prej tyre janë përfshirë në program deri më tani.


"Mënyra se si ata kanë qenë të interesuar dhe kureshtarë për të njohur bashkëmoshatarët e tyre që vijnë nga kontekste të ndryshme etnike, fetare, gjuhësore dhe kulturore, si dhe shkëmbimi krijues mes tyre - ishte fantastike," shpjegon Olivera Randjic.


Nga ana tjetër, ekspozita e përmendur në Beograd morri vëmendje shumë të madhe të publikut.


Ekspozita përbëhej nga video intervista “Në dyshe”, video punime me titull “Biografitë e subjekteve”, si dhe fotografi të realizuara në kuadër të këtij projekti mobiliteti dhe shkëmbimi kulturor.


“Sigurisht, audienca më së shumti ishte e interesuar për mjedisin e video të ekspozitës, e cila ishte vendosur në dy ekrane interaktive ku ata mund të zgjidhnin videot që do të shikonin”, shton Randjic.


Ekspozita pasqyronte karakterin multikulturor të projektit, kështu që video-segmentet e ekspozitës, citimet dhe printimet ishin në shqip, serbisht dhe anglisht, gjë që u pëlqeu veçanërisht vizitorëve të ekspozitës, shpjegon Randjic.


Ekspozita u hap nga shefi i sektorit politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Dirk Lorenz. Bashkimi Evropian është donator i projektit.


Kryetari i Bordit të Fondit B92, Veran Matić, theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave mes të rinjve në rajon, veçanërisht nga Serbia dhe Kosova*.


“Këto vajza dhe djem të mrekullueshëm janë ata që do të krijojnë një të ardhme më të mirë”, tha Matic.


"Mendoj se na duhen më shumë projekte si ky. Të dyja qeveritë, e Serbisë dhe e Kosovës*, duhet të investojnë më shumë në projekte, seminare, kampe të tilla," shtoi Arapi.


"Takimet në projekte si ky u sjellin të rinjve perspektiva të reja, përvoja, njohuri të reja. Dhe sigurisht që planifikojmë të punojmë edhe më tej", thotë Randjic.


Në mbështetje të kësaj, të dy bashkëbiseduesit deklarojnë se pjesëmarrësit në projekt kanë krijuar lidhje të forta dhe se janë në kontakt edhe pas përfundimit të aktiviteteve të tyre të përbashkëta.


Ndërkohë është hapur një tjetër thirrje publike për të rinjtë që të marrin pjesë në program. Përzgjedhja e tyre dhe më pas pritet një raund i ri shkëmbimi kulturor.


“Presim disa cikle të pranimit të pjesëmarrësve të rinj në projekt, me të cilët do të shoqërohemi dhe do të punojmë në mënyrë kreative. E gjithë kjo do të rezultojë në ekspozita të reja në festivalin DokuFest dhe Zonë e Lirë, dhe ideja është që të vendosen të gjitha video formatet e këtyre ekspozitave në një platformë në fund të projektit, ku do të jenë të disponueshme për publikun më të gjerë”, thotë bashkëbiseduesi ynë nga Beogradi.


“Të rinjtë janë e ardhmja e të gjitha vendeve. Ne duhet të investojmë në ta, sepse prej tyre varet e ardhmja jonë”, shtoi Arapi.


Dhe nëse doni përshtypje të dorës së parë, shikoni videon më poshtë. Pjesëmarrësit e projektit flasin dhe zbulojnë me njëri-tjetrin nëse dhe me çfarë paragjykimesh u përballën, cila ishte surpriza për ta dhe çfarë kanë mësuar për njëri-tjetrin:


*Kosova – të gjitha referencat për Kosovën, qofshin territor, institucione apo popullsi, në këtë tekst do të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe pa paragjykim për statusin e Kosovës.