image

Çdo herë kur u injorova


Etiketat:

Zgjohem, laj fytyrën dhe dhëmbët dhe papritmas më kujtohet: "Nuk i kam shkruar dje, ndoshta mendon se jam ftohur prej tij, më duhet t'i dërgoj një email sa më shpejt, ose ndoshta ta thërras?" Vetëm shpresoj se nuk do ta detyrojë dikë tjetër të më telefonojë në vend të tij, ose edhe më keq, të më bëjë ta thërras me një numër të ndryshëm. A i keni shkruar ndonjëherë dikujt për ditë, javë, muaj, duke shpresuar se do të merrni një përgjigje një ditë? E pra, kjo është bërë jeta ime vitin e fundit. Shkrova kur ishte e nevojshme dhe kur nuk ishte e nevojshme, ndoshta isha e çmendur pak kohë, por për ta mbrojtur veten, e vetmja gjë që doja ishte thjesht të merrja një përgjigje. Dy shkronja, dy fjalë, fjali, nuk kishte rëndësi - nëse ishte vetëm një përgjigje prej tij. Kam shkruar me shumë. Nuk isha besnike, e pranoj. Dhe disa prej tyre në të vërtetë iu përgjigjën thirrjeve dhe mesazheve të mia, edhe pse ata ishin të paktë. Mirëpo, ata që mund të arrihen me lehtësi, çfarëdo që mund të thonë, asnjëherë nuk kujtohen aq shumë sa ata që të injorojnë, e ka pasur shumë prej këtyre. Në fund të fundit, të gjitha ato përgjigje të cilat i kam dëshiruar, kurrë nuk mbërritën në adresën time. Megjithatë, kjo nuk më ndaloi të përpiqesha të arrija tek ai. E kam spiunuar në të gjitha rrjetet sociale, kudo që munda, vetëm për të arritur në numrin e vërtetë ku mund të arrihej. I shkrova përmes miqve të tij, të njohurve, kolegëve, në çdo adresë që mund t’ia gjeja. Kishte dhjetëra prej tyre dhe ishin të gjithë të njëjtë, dhe gjithkush kishte, nëse kishte gjë, një detyrim moral për të më dhënë përgjigje. Ndonjëherë do të isha aq e mbushur me dëshpërim sa do ta pyesja veten nëse problemi mundej, prite Zot, të ishte me mua. Pastaj filloja të mendoja nëse kam bërë ndonjë gabim, analizoja gjithçka dhe arrija në përfundim se jam e madhe dhe e zëvendësoja dëshpërimin me zemërim. Emocionet më kapin, prandaj filloj të mendoj t’i djeg gjërat e tij, t’i shpërthej rrotat e veturës... Por shpresa e mallkuar më sjell te shqisat: "Lëre të ndodhë, ai do të të thërrasë nesër; duhet, nuk është se u takuam dje, kjo mes nesh ka vazhduar më gjatë se kaq, edhe ai e di”. Ngulmimi im ndonjëherë shpaguhet dhe marr përgjigje: "Drejtoreshë, kam përgatitur dokumentet tuaja për Malin e Zi, a e keni konfirmuar pjesëmarrjen në konferencë?" Epo, nuk është përgjigjja që kërkoja, por të paktën e di se ai e ka hapur mesazhin tim, se ai e di që unë ekzistoj dhe se po pres përgjigje. Pastaj vazhdoj t’i shkruaj e t’i shkruaj, t'i shkruaj e t'i shkruaj atij... Ai vazhdon të më shpërfillë, derisa një ditë të jem ftohur nga ai ose të më interesojë dikush tjetër. Për fat të keq, siç e thashë më herët, çdo tjetër është më i keq se i kaluari. Më injoron plotësisht. Më erdhi në mendje se mund të kaloja nga shtëpia e tij për të parë se çfarë do të bënte, por koha, shpenzimet, droja e lindur... Dhe me siguri do të përfundoja prapa grilave. Të jem e drejtpërdrejt me ju... Unë nuk jam e sëmurë psikike e çmendur që është e etur për vëmendje, por gazetare dhe kjo nuk është as më shumë e as më pak se përshkrim i komunikimit tim të përditshëm me institucionet në Kosovë, që është pra, puna ime të kërkoj përgjigje. Nuk do të ishte aq e tmerrshme nëse ky do të ishte vetëm një rast. Megjithatë, problemi është se kjo është bërë rregull në përpjekjet për të marrë informata zyrtare nga ata që duhet të jenë të detyruar t'i japin. Me kalimin e kohës i kam klasifikuar në grupet e mëposhtme: - Njëbrirësha - ata që i përgjigjen pyetjes specifike (afër zhdukjes, tekstualisht); - Tri pyetje, një përgjigje dhe nganjëherë edhe ajo jo - ata që i përgjigjen gjithçkaje që duan, injorojnë pjesën tjetër të pyetjeve dhe pastaj, çdo herë tjetër u dërgoni të paktën pesë pyetje, sepse ka më shumë shanse për të marrë një përgjigje për të paktën dy prej tyre; - Seksistë - ata që ta ndalin telefonin ose nuk kanë kohë për t'u përgjigjur, kur dëgjojnë zërin e një gruaje, atëherë ti mëson se ka më shumë gjasa që të marrësh informacionin nëse ia kalon telefonin kolegut burrë; - Përsëritësit - ata që gjithmonë kanë të njëjtën përgjigje ndaj pyetjes së kërkuar, pa marrë parasysh se sa kohë ka kaluar, thjesht, nganjëherë ju vetëm dëshironi të shkruani një përgjigje në vete dhe as të mos i shqetësoni duke thirrur; - Falsot - ata që ju përgjigjen me mirësi, shpjegojnë në mënyrën më të mirë të mundshme që do t’ju japin një përgjigje gjysmë ore më vonë, pasi gjyshja e tyre ka vdekur, ose macja e tyre, apo janë në një takim dhe ju kërkojnë t'i telefononi më vonë, në mënyrë që të mos përgjigjen kurrë; - Ata që nuk shohin ndonjë arsye se pse duhet t’ju përgjigjen fare. - Dhe, sigurisht, Ombudspersoni: "Unë do të pranoj të gjitha pyetjet tuaja, unë do të përgjigjem që nuk kam përgjigje, sepse nëse askush nuk ka bërë një ankesë, pse duhet të kem edhe një mendim për çdo çështje me interes për publikun, nëse unë nuk kam ndonjë fuqi reale për të ndryshuar asgjë, sidoqoftë?" Pra, ky është problemi i parë që një gazetare has kur raporton në Kosovë. Është e rëndësishme të theksohet se jam duke punuar për një portal informacioni që raporton për ngjarjet e përditshme. Pra, shumica e pyetjeve që ua bëj institucioneve nuk janë si: "Më jepni bilancin e llogarisë bankare dhe një ekstrakt nga kadastra e të gjithë punonjësve tuaj për shkak të dyshimit se janë të përfshirë në korrupsion dhe institucioni juaj është i përfshirë në një mashtrim me vlera milionëshe", por në thelb informacion shërbimi të nevojshëm për të shkruar lajmet e duhura dhe për të raportuar rreth ngjarjeve. Duhet theksuar se në përgjithësi kërkoj që disa informata të konfirmohen zyrtarisht për mua, përveç marrjes së përgjigjeve për pyetjet: "Kush?", "Çfarë?" dhe, ndoshta, "Kur?", "Ku?" e "Si?", kërkoj të pajisem me një dokument, i cili, nëse do të ishim me fat, do të ishte në faqen e internetit të një institucioni, dhe do të merrnim sqarime për disa procedura burokratike. Betimi i heshtjes institucionale - pengesa e parë që hasni kur filloni të merreni me gazetarinë këtu - dhe për probleme të tjera "më serioze" do të më duhej më shumë hapësirë, të cilën nuk e kam, dhe punoj si gazetare për më pak se një vit. Në fund të fundit, njerëzit mezi që janë të interesuar për këtë - asgjë këtu nuk funksionon si duhet, ka probleme në çdo cep, prandaj pse do të ishin më mirë gazetarët? Pra, le të shërbejë ky tekst për ata që janë të interesuar, si udhërrëfyes pilotë për komunikim me institucionet, ose thjesht - mund të keni thirrur numrin e duhur, por nuk keni marrë atë që keni kërkuar.