image

Bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh në botë!

Kategori: Blogu

Jo rastësisht titullova shkrimin me një thënie nga Mahatma Gandi, thënie që ka frymëzuar qytetarë e kombe në rrugën e tyre të lirisë, barazisë dhe përparimit. Aryseja kryesore për t’u motivuar me këtë thënie bazohet në vullnetin e çdo njërit nga ne për të qenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme për të ndryshuar jetën tonë dhe komunitetin ku jetojmë. Vullneti dhe energjia për të qenë në shërbim të komunitetit, na ofron si model për të qenë në ballë të problemeve dhe për të gjetur zgjidhjet që përmirësojnë jetën tonë. Përballja me sfidat e përditshme nuk është e lehtë, por kur kemi parasyshë që nga të gjithë kërkohet përkushtimi dhe puna e vazhdueshme për të mirën e përbashkët, atëhet duhet të vazhdojmë përpara.

Gjatë angazhimit tim në politikë dhe shoqëri civile, përkushtimi kryesor ishte që të angazhohem në nisma për të rinjtë dhe gratë, për personat me aftësi të kufizuara dhe grupet tjera në nevojë për mbështetjen time. Gjatë periudhës si deputete, angazhimi kryesisht ka qenë formal, për shkak të funksionit përfaqësues që ka një deputet. Angazhimi në shoqëri civile është shumë më i gjerë duke qenë se të ofron mundësi të veprimit në nisma të caktuara, të mundëson zgjerim të bashkëpunimit profesional dhe pjesëmarrje në grupe të aktivistëve që realizojnë projekte të ndryshme. Puna me Komitetin Paraolimpik të Kosovës dhe së fundmi edhe me Forumin për Lidership dhe Diplomaci, më ka ofruar mundësinë unike të realizoj projekte në shërbim të personave me aftësi të kufizuara dhe grave.

Çdo aktivist kur fillon punën e tij në shoqëri civile apo angazhime tjera të ngjajshme ka vullnet të jashtëzakonshëm për të marrë pjesë në projekte të ndryshme, e tëra çfarë duhet gjatë kësaj periudhe është që të mos lejojmë të zbehet vullneti dhe përkushtimi për ndryshim. Dikush mund të pyes pse pikërisht ky titull është vendosë për të ilustruar këtë shkrim, thjeshtë madhështia e kësaj thënie nuk buron nga përmasat, buron nga inspirimi që nxitë tek njerëzit. Të ndihemi të inspiruar nuk na pengon askush, posaqërisht kur kemi shembuj të tillë përmbajtësor, rruga e vetme është shndërrimi i këtij inspirimi në punë dhe angazhim. E tillë është përballja e çdo njërit nga ne me problemet e vazhdueshme të cilat hasim gjatë veprimtarisë sonë e sidomos gjatë ndjekjes së rrugës sonë.

Të bashkuar në nismat tona, pengesat i përballojmë shumë më lehtë dhe më shpejtë, Kosova ka nevojë për vullnetin e të rinjve dhe punën e grave, si dhe kontributin e çdo grupi në shoqërinë tonë pa dallim. Gjatë këtyre viteve të pasluftës jemi dëshmitarë që shumë gjëra kanë lëvizur, ka përparim, por puna nuk duhet të ndalet së paku nga burimi i pashterrshëm i aktivizmit të shoqërisë civile që kërkon vazhdimisht ndryshim. Në një kohë pjesëmarrja e të rinvje në shumë procese vendimmarrëse dhe pjesëmarrja e grave në këto procese ka qenë thuajse e pamundur, sot gjërat po lëvizin. Ky nuk është nivel që na kënaq në këtë drejtim, por është rezultat i punës së mijëra aktivistëve për të arritur deri këtu ku jemi sot.

Ndryshimi që dëshirojmë ta sjellim në vendin tonë, fillon nga forma e të menduarit që kemi, nga angazhimet dhe nga bashkëpuntorët që zgjedhim për të shtyer përpara një temë. Nuk bën të heqim dorë për një pengesë, as për dy e më tepër sepse ato do jenë të vazhdueshme dhe të shumëta, e vetmja formë kur duhet të heqim dorë nga një punë është kur të arrijmë rezultatet e dëshiruara.