image

Faqet institucionale të internetit: nga mjete promovuese në platforma reciproke të komunikimit


Etiketat:

Rritja e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), e me to edhe e rrjeteve sociale dhe qeverisjes elektronike kanë ofruar mundësi të mëdha për të ripërtërirë marrëdhënien mes qytetarëve dhe qeverisë, duke krijuar kështu një transparencë më të madhe dhe hapësirë për pjesëmarrje në demokraci. Ndërsa korniza ligjore e Kosovës garanton transparencë dhe llogaridhënie e qasje të qytetarëve në shërbime publike, duke përfshirë edhe informacionet dhe dokumentet publike, në zbatim kjo po ka shumë defekte. Megjithatë, disa shembuj pozitivë janë vërejtur kohët e fundit, duke përfshirë qasjen në punën e Kuvendit përmes lancimit të një sistemit elektronik përcjellës që siguron qasje publike në të gjitha informatat dhe dokumentet mbi projektligje në shqyrtim, siç thuhet edhe nga raporti i vendit të BE-së. Kjo formë lejon komunikimin proaktiv, pasi mundëson ndjekjen e punës së Kuvendit dhe organeve të tij dhe ndihmon posaçërisht mediat dhe shoqërinë civile, por edhe qytetarët në përgjithësi. Megjithatë, ky shembull nuk është ndjekur edhe nga institucionet e tjera, kur jemi tek transparenca buxhetore. Përderisa Ministria e Financave ka filluar të botojë të dhënat financiare krahasuese në baza mujore në faqen e vet të internetit, institucionet publike ende ngurrojnë të publikojnë dhe të hapin të dhëna për shpenzimet e tyre aktuale. Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar qasje në shpenzime, por institucionet kanë paraqitur justifikime edhe qesharake për të refuzuar këto kërkesa. Kur ballafaqohemi me një refuzim për qasje në faturat e kartave të kreditit dhe shpenzimet e tjera të Zyrës së Kryeministrit, një OJQ-je me bazë në Prishtinë iu dha arsyetimi se ''Dhënia e një informacioni të tillë mund të shkelë të drejtat e privatësisë të zyrtarëve publikë, sepse faturat për ushqim dhe pije mund të zbulojnë informacione fetare dhe dietale të personit''. Kjo organizatë paditi Zyrën e Kryeministrit dhe pas pesë vitesh beteje ligjore, Gjykata vendosi në favor të saj duke cituar se ''...në këtë drejtim ata kanë interes të arsyeshëm për t'u informuar se ku shpenzohet çdo cent nga zyrtarët publikë që janë të ngarkuar me autorizime publike dhe bazuar në këtë fakt ata duhet të mbahen përgjegjës për ato shpenzime''. Kjo OJQ më vonë e përdori këtë precedent për të kërkuar qasje në shpenzimet e komunave të Kosovës dhe mori përgjigje si dhe të gjitha faturat nga 22 prej tyre. Kjo qasje duhet të bëhet në një mënyrë proaktive dhe të mos shërbehet vetëm me kërkesa. Një shembull i mirë i mirë i hapjes së të dhënave për publikun ishte hapja e kontratave të tenderit, një hap i nisur nga Komuna e Gjakovës dhe pastaj i ndjekur nga komunat e tjera, të cilat mandej nxitën Komisionin e Prokurimit Publik të nxjerrë një vendim që u bën thirrje institucioneve publike për të bërë të njëjtën gjë. Kjo minierë e të dhënave u përgëzua sidomos nga shoqëria civile dhe mediat pasi që lejoi më shumë gërmime në dhëniet e tenderëve, pajtueshmërinë me legjislacionin dhe konfliktin potencial të interesit ose lidhjet politike. Shoqëria civile vazhdimisht bën thirrje për një komunikim më të mirë dhe më proaktiv me qytetarët, sidomos kur bëhet fjalë për komunat, pasi ato janë adresa e parë ku qytetarët duhet të informohen, sidomos për shërbimet publike. Sidoqoftë, përderisa faqet e internetit të komunave janë të pajisura në mënyrë adekuate për ofrimin e plotë të mundësive për informacion në fusha të ndryshme, ato ende nuk veprojnë si instrumente të debatit ashtu siç mbetet komunikimi. Në vend të kësaj, informacioni më i zakonshëm që gjendet në këto faqe është promovimi i përditshëm i punës së kryetarit të komunës. Nga ana tjetër, mungon informacioni dhe prezantimi i prioriteteve të shpenzimeve komunale për vitin e ardhshëm, planet strategjike në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe social, planifikimin hapësinor, ose propozimet specifike konkurruese për projektet e infrastrukturës kapitale, ose ofrimin e shërbimeve të saj. Edhe kur komunat publikojnë zhvillimin e tyre ose dokumente të tjera, draftet ose buxhetet aktuale, kjo shpesh bëhet në formën e një PDF-je të pashoqëruar nga diskutimi, përpunimi, përmbledhja ose mjetet e tjera për ta bërë informacionin më të kapshëm, si paraqitja vizuale. Disa komuna po përpiqen të avancojnë shërbimet e tyre elektronike dhe të tjerat po ndjekin hapat e tyre. Një raport i Demokracia Plus rreth prokurimit publik në komuna përgëzoi komunën e Prishtinës jo vetëm që ndan praktikat e mira të transparencës, por edhe sepse ka një platformë 'Open Data', e cila ofron informacion më të detajuar për qytetarët, por edhe kontraktorët, të cilët mund të marrin më shumë besim pasi kjo ndihmon në ndërtimin e besimit në komunë dhe në praktikat e tij. Sa i përket qasjes në informata, faqet e internetit të institucioneve publike nuk kanë trajtim të barabartë të qytetarëve, si përdorimi i gjuhës zyrtare nuk respektohet gjithmonë siç parashihet me ligj,veçanërisht në komunat me etni të përziera. Komunat me shumicë serbe jo gjithmonë përkthejnë informacion në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, me qëllim informimin e të gjithë qytetarëve të tyre mbi zhvillimet në komunë. Prandaj, ndërkohë që është arritur njëfarë progresi, është me rëndësi të madhe të transformohen faqet e internetit të institucionit publik të Kosovës në një komunikim kuptimplotë reciprok dhe promovimi i punës së udhëheqësit të një institucioni është i rëndësishëm, faqet e internetit duhet të fokusohen më shumë në informimin dhe angazhimin e qytetarëve për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje. Qytetarët e informuar mirë do të shërbejnë edhe për të mbajtur një institucion llogaridhënës dhe për të ofruar ndihmë shumë të nevojshme për hartimin e legjislacionit më të mirë, prioritizimin e investimeve, vënien në dukje të keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimin si dhe për ta rritur ndjesinë e pronësisë së qytetarëve në projektet dhe iniciativat institucionale. Kur qytetarët të ndjejnë pronësinë ndaj një projekti të caktuar, ata do të bëjnë pjesën e tyre duke siguruar funksionimin e duhur të një projekti të tillë dhe do të kontribuojnë në korrjen e përfitimeve prej tij. Platforma e shoqërisë civile NDREQE.COM është një shembull i shkëlqyet se si një model i tillë i bashkëpunimi mund të funksionojë. Ndreqe.com është i përkushtuar për përmirësimin e ndërhyrjes së qeverisjes vendore ndaj raportimeve të qytetarëve për ankesat e shërbimit publik. Platforma u ofron mundësi qytetarëve për të raportuar problemet e lagjes me plehrat, gropat, drita publike dhe trotuaret, në gjuhën shqipe dhe serbe. Kërkesa nga qytetarët për një platformë të tillë është vërejtur që nga fillimi, ndërsa 2,965 raste janë raportuar deri më tani. Platforma ka kërkuar bashkëpunim me komunat që nga fillimi dhe aktualisht bashkëpunon aktivisht me rreth 20 komuna që tashmë kanë adresuar 973 raste të raportuara dhe të zgjidhura. Ka pak shembuj të tillë të bashkëpunimit të mirë në të gjithë Kosovën dhe institucionet publike, e sidomos komunat, duhet t'i përdorin këto për ta kapërcyer hendekun e komunikimit me qytetarët që është i dukshëm në konsultimet publike për të gjitha çështjet e rëndësishme.'