image

Besimi vjen duke ecur por, ikën me vrap

Kategori: Blogu

Etiketat:

Kur bëhet fjala për besimin, gazetarët mbase më mirë se të gjithë të tjerët e kuptojnë rëndësinë e tij. Fundja, besimi është thelbësor për marrëdhënien në mes të gazetarisë dhe publikut të gjerë. Nga ana tjetër, vet gazetaria e luan një rol madhor në procesin e ndërtimit të besimit. Sidoqoftë, ajo që nuk duhet ta harrojmë është se besimi paraqitet në forma dhe rrethana të ndryshme duke filluar nga raportet individuale e deri tek besimi ndaj organizatave dhe besimi brenda shoqërisë si tërësi. Madje, mund të themi se besimi brenda shoqërisë është ai përbërësi që e mundëson funksionimin normal dhe ecjen përpara të saj. Për këtë arsye, përgjatë tërë ekzistencës së njerëzimit besimi është dëshmuar vazhdimisht si gurthemel i të gjitha ndërveprimeve të suksesshme njerëzore në të gjitha sferat e jetës (familje, shoqëri, ekonomi, politikë, e kështu me radhë).

 

Shtrohet pyetja: Pse kemi nevojë për besim?

Sipas studimeve të shumta në këtë fushë ne kemi nevojë për besim sa herë që na mungon informacioni i plotë për një situatë të caktuar. Pikërisht, atë pjesë të informacionit që na mungon ne e plotësojmë me besimin se individ apo elemente të tjera të shoqërisë do të veprojnë sipas disa standardeve të caktuara. Me fjalë të tjera, pa besim ne do të kufizoheshim vetëm në përvojat e tona të dorës së parë. Pra, është pikërisht besimi ai që na bën të mundur që të vijmë në kontakt me informacione, mendime, njohuri, veprime, ngjarje dhe tema që shtrohen përtej fushës së përvojave tona. Nëse publiku nuk do t’iu besonte lajmeve, atëherë, si do të njihej ai me zhvillimin e konfliktit në një shtet apo kontinent tjetër; apo si do të njihej publiku me miratimin e ligjeve të reja dhe ndryshimin e ligjeve ekzistuese dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme.

 

Viktima e parë në çdo lloj konflikti është besimi

Në fakt, mund të themi lirisht se viktima e parë në çdo lloj konflikti është besimi. Për fat të keq ne jemi dëshmitarët më të mirë të kësaj. Pas gjysmë shekulli bashkëjetese, ata që dikur ishin fqinjë filluan ta shihnin njëri-tjetrin me dyshim dhe mosbesim. Në njëzet vitet e fundit, fillimisht si gazetare dhe më pas si drejtuese e sektorit të mediave të shkruara të KFOR-it, ku bën pjesë edhe revista ‘For You’, unë e kam pasur rastin që të shoh ndryshimet pozitive në shoqërinë tonë si rezultat i rindërtimit të besimit. Shembulli më konkret është zhvillimi i lirisë së lëvizjes gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Gjatë kësaj kohe, duke filluar nga kolegët e mi në zyrë e deri tek qyteti i Mitrovicës, situata ka ndryshuar rrënjësisht. Njëzet vjet më parë, edhe veprimet më të thjeshta si ardhja në punë ishin një aventurë më vete. Kurse sot, po të njëjtët kolegë nuk kanë asnjë problem, madje shpesh ata i shfrytëzojnë edhe mjetet e transportit publik.

E përmenda përmirësimin e lirisë së lëvizjes sepse unë jam e bindur se ajo është e lidhur ngushtë me ndërtimin e besimit. Para njëzet vjetësh, në mesin e problemeve të shumta me të cilat përballeshin qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh moshën, gjininë, fenë apo përkatësinë e tyre etnike, ishte mungesa e besimit. Pjesëtarët e një etnie i shihnin me dyshim etnitë e tjera. Ata kishin frikë sepse ata nuk kishin pothuajse fare informacion për njëri-tjetrin dhe nuk ishin të gatshëm që të rrezikonin që të lëndoheshin duke i besuar palës tjetër. Mirëpo, me të filluar qarkullimi i informacionit dhe me shtimin e njohurive për njëri-tjetrin gradualisht filloi të rritej edhe niveli besimit.

 

Një shkencëtar mashtrues nuk mund ta shkatërrojë besimin në tërë shkencën!

Një tjetër aspekt i besimit që do ta theksoja me këtë rast është se besimi në marrëdhëniet tona individuale dallon shumë nga besimi ndaj një organizate apo shoqërisë si tërësi. Në marrëdhëniet individuale ne i kushtojmë shumë rëndësi sjelljes së kaluar të personit përballë nesh. Mirëpo, kur bëhet fjalë për besimin në shoqëri, ne duhet të mos harrojmë se sjellja e individëve të caktuar mund të ndikojë në besimin ndaj një institucioni, organizate apo shoqërie të cilës ata i takojnë por, jo edhe ta zhbëjnë në tërësi atë. Pra, një shkencëtar i cili ka bërë mashtrim nuk mund të merret për bazë për ta shkatërruar besimin në tërë shkencën.

Nga ajo që e kam shkruar më sipër por, jam e sigurt edhe nga përvojat tona personale, është e qartë se besimi nuk është i ngurtë por, luhatet nga njëra anë në tjetrën. Me fjalë të tjera, besimi mund të forcohet apo të dobësohet dhe rrjedhimisht edhe marrëdhëniet e ndërsjella i pësojnë të njëjtat luhatje. Për këtë arsye është e nevojshme që ne vazhdimisht të punojmë në ndërtimin por edhe ruajtjen e besimit, sepse siç thotë fjala e urtë popullore: “Besimi vjen duke ecur por, ikën me vrap”.