Dhuna në familje gjatë pandemisë COVID-19

Kategori: Lajme
Organizatat: Institucioni i Avokatit të Popullit
Etiketat:

Prishtinë, 30 prill 2020 – Edhe para shfaqjes së pandemisë COVID-19, dhuna në familje ishte tashmë një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë periudhës së luftimit të përhapjes së pandemisë dhe masave për qytetarët të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, është vënë në dijeni për rritjen e numrit të raportimit të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, në muajin mars të vitit 2019 janë raportuar 124 raste, ndërsa gjatë muajit mars të vitit 2020 janë raportuar 169 raste. Është evident që numri i raportimit të rasteve të dhunës në familje ka shënuar 36% rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Aktualisht në të gjitha strehimoret në nivel vendi, numri i viktimave të strehuara është 43.

Derisa emergjenca shëndetësore ka bërë që puna në gjykata të ngadalësohet dhe seancat gjyqësore jourgjente të shtyhen, siguria e viktimës dhe e fëmijëve të saj duhet të mbetet shqetësimi parësor për institucionet e zbatimit të ligjit dhe për autoritetet gjyqësore për veprim të menjëhershëm, parandalim dhe mbrojtje. Në përputhje me rrethanat, institucionet shtetërore mbesin të obliguara ndaj detyrimeve të tyre për t’u ofruar viktimave mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen te detyrimi i shtetit ndaj standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për të ushtruar kujdesin e duhur për të parandaluar, hetuar, ndëshkuar dhe për të siguruar dëmshpërblim për veprat e dhunës, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

Në një situatë të rritjes së numrit të rasteve të dhunës, vlerësimi dhe menaxhimi i rrezikut për viktimat e dhunës mbetet qenësor. Vëmendje duhet t’i kushtohet gjithashtu nevojës së mbështetjes financiare nga e cila do të varen shumë gra pasi të zhvendosen në një strehimore për viktimat e dhunës.

Mbetet e një rëndësie të veçante që viktimat e dhunës në familje të qëndrojnë në ambient të sigurt, larg dhunës së ushtruar mbi to, e mbi të gjitha në një ambient i cili është po aq i sigurt nga mbrojtja e infektimit me virusin COVID-19.

Lexoni më shumë