Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit

Kategori: Lajme
Organizatat: Institucioni i Avokatit të Popullit
Etiketat:

Prishtinë, 3 maj 2020 – Sot, kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, vendoset në fokus mirënjohja për gazetarët dhe punën e tyre, ashtu siç vlerësohet zëshëm roli i jashtëzakonshëm i mediave në shoqëritë demokratike.

Veçmas, në rrethanat që po na përcjellin këtë vit, me sfida të shumëfishuara, në pothuajse të gjitha segmentet e jetës, gazetaria e besueshme, që ndërtohet mbi standarde profesionale dhe etike është jetike për proceset në vend.

Në përballjet e vazhdueshme që gazetaria ka përgjatë procesit të zhvillimit të vet, respektimi i lirisë së medias dhe pluralizmit medial, janë dimension i pazëvendësueshëm edhe për të drejtat dhe liritë tjera të garantuara. Pavarësia dhe profesionalizmi në gazetari, e sigurojnë transparencën dhe përgjegjësinë mbi çështje të interesit të përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë sensibilizojnë qytetarin për aktivizëm dhe bashkëpjesëmarrje në proceset shoqërore, ekonomike, kulturore e politike.

Natyra e punës di t’i bëj gazetarët/et shënjestër të kërcënimeve apo sulmeve, gjë që e vështirëson funksionimin efektiv të medias në shpërndarjen e informacionit. Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend. Autoritetet kanë obligimin kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme për gazetarët, në përmbushjen e rolit të tyre, ashtu siç detyrohen për mosndërhyrje në punën e mediave, për transparencë dhe për lejim të qasjes në informacion dhe dokumente zyrtare, si komponenta thelbësore të realizmit të lirisë së medias, respektivisht lirisë së shprehjes dhe informimit.

Në këtë kontekst, Avokati i Popullit i konsideron shqetësuese rastet në rritje gjatë vitit 2020 të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave. Gjithashtu, vështirësitë e vazhdueshme të gazetarëve për qasje në informacion dhe dokumente zyrtare, paraqesin shqetësim konsistent, përgjatë viteve.

Lexo më shumë