image

Ndërmjetësimi si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Kategori: Blogu

Etiketat:

Është e ditur se sundimi i ligjit, si parakusht themelor për çdo zhvillim, nuk është për t’u lakmuar në Kosovë, pasi mekanizmat janë të ngadaltë dhe nuk funksionojnë të sinkronizuar, ndërsa drejtësia zbatohet në mënyrë selektive dhe gjithë kjo rezulton me mosbesim në sistemin gjyqësor dhe frikë për sigurinë ligjore. Megjithatë, unë nuk do t’i trajtoj këto segmente këtu sepse shkaqet e mosfunksionimit institucional janë shumë të gjera. Në vend të kësaj, unë do të përqendrohem në një segment me të cilin punoj posaçërisht dhe i cili në një pikë të caktuar mund të kontribuojë në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin më të madh të gjykatave. Para së gjithash, është e nevojshme të qartësohet nocioni i ndërmjetësimit, si një mekanizëm për qasje në drejtësi, mekanizëm ky që ekziston në Kosovë. Në fillim, ekziston një problem në kuptimin e termit. Ç’është ndërmjetësimi? Dhe cili nga këto dy sinonime duhet përdorur? Ndërmjetësimi është një term i pranuar në përgjithësi në mesin e profesionistëve ligjorë, edhe pse kjo shkakton mjaft huti pasi nuk përshkruan shumë në gjuhën serbe, sidomos për njerëzit në veri, të cilët nuk kanë pasur ndonjë përvojë me sistemin gjyqësor të Kosovës. Vërtet, ata patën pak përvojë edhe me sistemin gjyqësor serb, pasi ky sistem funksionoi me kapacitet të kufizuar për 20 vitet e fundit. Ndërmjetësimi është një proces i rregulluar ligjërisht në Kosovë, në të cilin një ndërmjetës ndihmon dy ose më shumë palë të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me pajtim. Parimet themelore të ndërmjetësimit që duhet të respektohen për një proces të suksesshëm janë: fshehtësia dhe privatësia, vullnetarizmi, pëlqimi dhe barazia e palëve, paanshmëria e ndërmjetësuesve, efikasiteti dhe ligjshmëria e procesit. Për dallim nga zgjidhja gjyqësore e rasteve, ku gjykata vendos dhe merr vendime, ndërmjetësimi ofron zgjidhje më të qëndrueshme, përmes një marrëveshjeje dhe mirëkuptimi të palëve, pra i bën palët meritore në mosmarrëveshjen dhe zgjidhjen e saj. Përveç faktit se ndërmjetësimi ofron efikasitet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në një atmosferë joformale, më e rëndësishmja është që marrëveshja e nënshkruar nga palët në procesin e ndërmjetësimit ka peshën e një vendimi përfundimtar dhe ligjërisht të vlefshëm. Në Kosovë, ndërmjetësimi është rregulluar për herë të parë nga Ligji për Ndërmjetësim në vitin 2008, i cili u mundësoi qytetarëve që të kërkojnë një zgjidhje për procedimet e tyre civile në gjykatë përmes ndërmjetësimit. Gjithashtu është e mundshme që rastet e kundërvajtjes, madje edhe ato që dënohen me burgim deri në tre vjet, me përjashtim të rasteve të dhunës në familje, mund të zgjidhet me ndërmjetësim. Procedura për dërgimin e një rasti në ndërmjetësim fillon ose nga gjykata ose nga prokuroria, por edhe vetë palët mund të kërkojë që çështja të përcillet në ndërmjetësim. Nëse rasti zgjidhet me sukses, marrëveshja dërgohet për verifikim në gjykatë ose prokurori dhe rasti mbyllet me sukses. Nëse, megjithatë, rasti nuk zgjidhet përmes ndërmjetësimit, e njëjta i kthehet gjykatës ose prokurorisë. Prandaj, palët nuk mund të pësojnë humbje. Për gjashtë vitet e fundit, aktivitetet e ndërmjetësimit janë zbatuar nga Qendra e Ndërmjetësimit e Mitrovicës, e cila në bashkëpunim me Gjykatën Themelore dhe Prokurorinë në Mitrovicë ka zgjidhur mbi 1300 raste me një normë suksesi prej 95% deri më tani. Për shkak të mungesës së kuadrit ligjor, shërbimet e ndërmjetësimit nuk ishin institucionalizuar dhe Qendra u krijua si një shoqatë jofitimprurëse që administron të gjitha rastet e përcjella për ndërmjetësim nga autoritetet gjyqësore përgjegjëse në rajonin e Mitrovicës, koordinon punët me palët dhe ndërmjetësit, mban seanca informimi dhe ndërmjetësimi dhe koordinon bashkëpunimin me institucionet. Numri i rasteve të zgjidhura përmes ndërmjetësimit nuk ishte i kënaqshëm në fillim, por u rrit nga viti në vit. Për shembull, në vitin e parë të punës, Qendra zgjidhi vetëm 11 raste, përderisa vetëm vitin e kaluar, pra më 2018, u zgjidhën 493 raste. Ky numër është duke u rritur vazhdimisht nga momenti i integrimit të gjyqësorit dhe praktika vitin e kaluar flet se mbi 100 raste janë dërguar çdo muaj në Qendrën për Ndërmjetësim nga Gjykata Themelore dhe Prokuroria në Mitrovicë. Gjashtëdhjetë e pesë për qind (65%) prej tyre hyjnë në ndërmjetësim, ndërsa në raste të tjera palët preferojnë të zgjedhin procedurë gjyqësore. Në gusht 2018 u miratua një Ligj i ri për Ndërmjetësimin, i cili duhej të përmirësonte kornizën e mëparshme legjislative, të institucionalizonte ndërmjetësimin dhe ta bënte atë më efikas. Është paraparë që përmes procesit të institucionalizimit, një person do të punësohet në secilën nga shtatë gjykatat themelore rajonale dhe këta persona do të jenë përgjegjës për të gjitha detyrat e lartpërmendura të Qendrës së Ndërmjetësimit. Për më tej, ligji i ri parashikon ndërmjetësimin e detyrueshëm në rastet e ligjit të familjes dhe çështjet pronësore, që do të thotë se të gjitha rastet e karakterizuara si të tilla duhet të përcillen nga gjyqtarët tek ndërmjetësi. Deri më tani gjyqëtarët kanë qenë të lirë të propozonin mundësinë e ndërmjetësimit për palët ose jo. Edhe pse ligji ende nuk ka filluar të zbatohet plotësisht, ka shenja që mund të ketë ndikime negative dhe madje edhe të rrezikohen praktikat e tanishme, duke pasur parasysh ndryshimet legjislative të përmendura, praktikat dhe gjendjen në terren. Le të marrim shembullin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila sipas vlerësimeve ka 70,000 lëndë të arkivuara duke pritur përpunimin dhe një praktikë të tashme të përcjelljes së mbi 100 rasteve për ndërmjetësim në muaj. Ky numër i rasteve të dërguara padyshim se do të rritet, për shkak të një artikulli të ligjit që kërkon që gjyqtarët dhe prokurorët të dërgojnë raste të të drejtës familjare dhe pronësore në një ndërmjetësim të detyrueshëm. Në anën tjetër, mekanizmat ligjorë që ekzisojnë për zbatimin e këtyre dispozitave janë ngushtuar deri te vetëm një oficer i cili duhet të zbatojë të gjithë punën që aktualisht kryhet nga katër zyrtarë te Qendra e Ndërmjetësimit që punojnë me orar të plotë. Sigurisht se një zyrtar nuk do të jetë në gjendje t’i absorbojë të gjitha detyrat dhe të trajtojë një numër të madh rastesh në mënyrë të duhur dhe kjo rrezikon të dëmtojë vlerën më të lartë të ndërmjetësimit, e kjo është pikërisht efikasiteti. Për më shumë, ajo kërcënon më tej efikasitetin e gjykatës pasi që ndërmjetësimi deri tani ka qenë mekanizëm i shkëlqyet për uljen e mbingarkesës së rasteve dhe ngritjen e efikasitetit të gjykatave dhe të prokurorisë. Një propozim për zgjidhjen e problemit do të ishte gjetja e një zgjidhjeje ligjore për punësimin e stafit shtesë që do të merrej me ndërmjetësimin brenda institucioneve. Kjo vlen veçanërisht për Gjykatën Themelore në Mitrovicë, sepse po flasim për një rajon multietnik ku dygjuhësia është e nevojshme.