image

"Djali ynë" nga Heartefact e Beogradit - shfaqje serbe në Teatrin e Qytetit të Gjilanit pas 23 vitesh

Kategori: Blogu

Etiketat: #CULTURE

Shfaqja “Djali ynë” në produksionin e Heartefact të Beogradit u shfaq në fund të tetorit në Prishtinë dhe në Gjilan. Kjo ishte hera e parë që një shfaqjeje serbe performohet në teatrin e qytetit në Gjilan pas 23 vitesh - sipas Heartefact.

Shfaqja e autorit dhe regjisorit Patrik Lazić, u shfaq në Kosovë në kuadër të edicionit të 5-të të ekspozitës teatrore "Kosovo Theater Showcase".

Është një ngjarje e përvitshme që mbledh së bashku redaktorë dhe përzgjedhës të festivaleve, kritikë dhe profesionistë të teatrit nga e gjithë Evropa, ku këtë vit në Prishtinë ishin mbi gjashtëdhjetë.

Nga data 25 deri më 29 tetor, dhjetëra shfaqje, performanca, panele dhe lexime publike janë mbajtur në lokacione të shumta në Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj me qëllim të prezantimit dhe njohjes së punës së artistëve te Kosovës, institucioneve dhe organizatave kulturore.

Në kuadër të projektit Reconnection 2.0 i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i zbatuar nga Qendra Multimedia [Prishtinë] dhe Fondi Heartefact [Beograd], shfaqja “Djali ynë” u shfaq në Lapidarium të Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, si dhe në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Gjithashtu, Heartefact ka bashkëpunim të rregullt kulturor me Prishtinën qe shumë vite.

“Kur performuam në Prishtinë, ishte një atmosferë ndryshe, publiku ishte kryesisht i huaj, sepse ishte festival, u mblodhën ekspertë të ndryshëm evropianë, kritikë, gazetarë”, tha regjisori Patrik Lazić në një intervistë të fundit për mediat e Beogradit.

“Megjithatë, ajo që ishte më domethënëse ishte vizita në Gjilan, ishte shfaqja e parë serbe pas 23 vjetësh. Dhe u ndje... Rreth njëzet njerëz erdhën për të parë shfaqjen, por ata njëzet njerëz patën ndjenjën se diçka e rëndësishme po ndodhte, në të njëjtën mënyrë ndiheshim dhe ne” tha Lazić, duke shpjeguar gjithashtu se shfaqja është luajtur në serbisht me titra në anglisht.

“Djali ynë” është një projekt autori me regji të Patrik Lazić. Ajo luhet nga aktorja dhe profesoresha e aktrimit në Akademinë e Arteve në Beograd, Dragana Varagić, aktori i ri, Amar Ćorović, dhe aktori dhe profesori i aktrimit në Fakultetin e Arteve në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Đinđić.

Projekti i këtij autori fokusohet në vënien në dyshim të marrëdhënieve familjare, çështjet e seksualitetit dhe përkatësisë.

Për rolin e nënës në këtë shfaqje, Dragana Varagić mori çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Aktorëve Plot 14 të mbajtur në Banja Luka.