image

Besimi dhe Pajtimi Etnik në Shoqërinë Laike të Kosovës


Etiketat:

Konflikti shqiptaro-serb nuk ka dimension fetar. Është thjesht laik. Por liderët politikë shpesh kanë manipuluar dhe përdorur mendimin fetar dhe institucionet fetare për të shtyrë përpara qëllimet e tyre politike, duke ulur kredibilitetin e fesë si autonome dhe të pastër. Feja nuk ka promovuar drejtpërdrejt konfliktin në Kosovë, por nuk ka vepruar as edhe si burim paqeje. Zërat serbë e shqiptarë që promovojnë paqen fetare dhe pajtimin janë të rrallë. Përkundër këtyre mangësive, institucionet fetare mund të luajnë rol të rëndësishëm në promovimin e pajtimit etnik midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, proces ky që do t’i plotësonte përpjekjet laike vendore dhe ndërkombëtare për të sjellë paqe të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë. Feja dhe shqiptarët kanë pasur marrëdhënie të dobët. Ndryshe nga serbët, shqiptarët janë të ndarë në tri fe: muslimane, katolike dhe ortodokse. Muslimanët, të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese, gjithashtu ndahen në dy grupe: sunitë dhe dervishë. Duke pasur parasysh këto ndarje, feja nuk mund të luante rol unifikues në shoqërinë shqiptare dhe kështu nuk ka qenë faktor relevant në zhvillimin kombëtar shqiptar. Madje Islami si besimi dominues nuk arriti të depërtojë në shoqërinë shqiptare përtej vrojtimit të ritualit. Lëvizjet nacionaliste shqiptare gjithashtu kanë dekurajuar përkushtimin ndaj Islamit, duke e konsideruar si ndikim të huaj dhe të imponuar. Ideologët nacionalë përhapën një lloj 'feje qytetare', të përkufizuar në vargun e njohur nacionalist të Pashko Vasës, 'Feja e shqiptarit asht shqiptaria '. As udhëheqësit islamikë e as teologjia islame nuk kanë pasur rol në Kosovë për mobilizim politik. Udhëheqësit muslimanë nuk kanë mbështetur e as nuk kanë marrë pjesë në nisma të ndryshme nacionaliste në Jugosllavi as nuk kanë luajtur asnjë rol në mobilizimin kombëtar të viteve 1990. Një version i moderuar jopolitik i Islamit, i përzier me traditat kulturore, mbizotëron në shoqërinë shqiptare. Përpjekjet e pasluftës të fundamentalistëve të ndryshëm islamikë për të përhapur një version më ekstrem të Islamit ishin jetëshkurtëra. Feja dhe serbët kanë marrëdhënie shumë më të fortë. Ortodoksia është komponent i rëndësishëm i identitetit kombëtar serb. Kisha Ortodokse Serbe, ndryshe nga xhamia, ekzistonte si institucion dhe luajti rol historik në përcaktimin e identitetit serb. Ajo po ashtu konsiderohet si institucion autentik serb. Kisha ka ndikim politik të konsiderueshëm, posaçërisht në çështjen e Kosovës. Selia e patriarkatit serb është e vendosur në Kosovë dhe kështu pasionet fetare mbeten faktor kryesor në refuzimin e shtetësisë së Kosovës nga Serbia. Derisa nacionalizmi shqiptar e konsideron Islamin si ndikim të huaj,nacionalizmi serb e konsideron ortodoksinë si element kombëtar të vlefshëm. Edhe pse as serbët e as shqiptarët nuk kanë nivele të larta të besimeve dhe lidhjeve fetare, organizatat fetare ende mund të luajnë rol në nxitjen e pajtimit mes dy popujve që ishin në luftë. Feja mund të shërbejë si burim vlerash për t'i larguar paragjykimet dhe keqkuptimet, për ta nxitur tolerancën dhe për të vendosur norma dhe standarde të reja shoqërore për bashkëjetesën multietnike. Udhëheqësit fetarë mund ta përdorin ideologjinë fetare dhe të menduarit si mjet për të legjitimuar pajtim dhe falje. Për dallim nga politikanët, udhëheqësit fetarë duket se janë të nxitur nga interesi publik më shumë se nga pëfitimet personale, duke pasur më shumë legjitimitet për të adresuar çështje të ndjeshme. Përmes mbledhjeve joformale me pjesëtarët e të dy etnive, përfaqësuesit e komunitetit fetar, politik, si dhe shoqëria civile mund të ndihmojnë në rivendosjen e marrëdhënieve relativisht të mira të paraluftës midis serbëve dhe shqiptarëve. Lufta ndërpreu shumë shoqëri që kishin ekzistuar për shumë vite. Dialogu shoqëror njëkohësisht përmirëson dhe imazhin publik të fesë. Shqiptarët vazhdojnë të shikojnë Kishën Ortodokse Serbe si burim urrejtjeje e as serbët nuk e shohin Islamin me sy miqësor. Një numër xhamish dhe kishash u vunë në shënjestër gjatë dhe pas luftës. Duke u thirrur në vlerat e ndjeshmërisë, të faljes dhe të mosdhunës, udhëheqësit fetarë mund të ndihmojnë në formimin e debatit për pajtimin. Këto vlera janë po aq të rëndësishme në pajtimin etnik në periudhën pas konfliktit si edhe në praktikën fetare. Udhëheqësit mund t'i sjellin këto vlera fetare në arenën shoqërore dhe politike. Dialogu shoqëror i bazuar në këto vlera mund të ndihmojë në ndryshimin e opinioneve dhe të qëndrimeve publike dhe përfundimisht kontribuon në thyerjen e rrethit të urrejtjes etnike në të cilin shoqëritë shqiptare dhe serbe janë bllokuar për dekada të tëra. Qasja e liderëve ndoshta nuk mund të ridefinojë të kaluarën ose të shpjerë në interpretime të përbashkëta, por mund të na ndihmojë të kuptojmë se si të mësojmë të jetojmë së bashku me këto dallime dhe të largohemi nga rrugët e ndarjeve të politikës etnike që nuk shpien askund, diçka që përpjekjet laike kanë dështuar ta arrijnë. Përpjekjet sekulare të paqes, të përqendruara në dialogun e Brukselit, nuk kanë qenë të suksesshme për të sjellë pajtimin, megjithëse kanë zgjidhur një numër praktikash të rëndësishme rreth kësaj çështjeje. Dialogu politik përforcoi dallimet etnike dhe ringjalli mitet e vjetra. Shoqëritë shqiptare dhe serbe dhe udhëheqësit e tyre duket sikur nuk janë të gatshëm tani, njëjtë si njëzet vjet më parë, për të marrë hapa të guximshëm drejt pajtimit të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Mitet dhe paragjykimet vazhdojnë të prijnë në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Islami shqiptar dhe ortodoksia serbe kanë respektuar ndarjen e fesë nga shteti dhe janë të përkushtuar ndaj vlerave demokratike. Përveç promovimit të pajtimit, ata gjithashtu mund të luajnë rol në demokratizim: për shembull, duke ngritur zërin kundër korrupsionit. Menjëherë pas konfliktit, krerët e luftës filluan të pëlqejnë pasurinë dhe mënyrën e vetme që dinin si ta arrinin ishte duke kapur shtetin. Këta udhëheqës të luftës u kthyen në politikanë që fitojnë zgjedhjet përmes fushatave frikësuese, patronazhit dhe vjedhjes së plotë. Udhëheqësit fetarë nuk duhet të jenë vëzhgues të thjeshtë.