image

Rečnik-Fjalor: A e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin?

Kategori: Lajme
Organizatat: UNMIK , IOM
Etiketat:

Në Shtator të vitit 2019, në Ditën Evropiane të Gjuhës, në Prishtinë u prezantua një fjalor dixhital serbisht-shqip. Për momentin, fjalori ka 20,000 fjalë dhe plani është që ai të ketë 50,000 deri në 60,000 fjalë deri në qershor të vitit 2021. Ky fjalor është rezultat i një bashkëpunimi midis Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, OJQ-së "Qendra për Nismë Sociale", Organizata Ndërkomëtare për Migrim (IOM) dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ne jemi munduar të kuptojmë se kujt i drejtohet ky fjalor, nëse do të jetë në pajtueshmëri me Ligjin për gjuhët zyrtare në Kosovë dhe sa është e sigurt që gjuha serbe dhe shqipe të bëhen pjesë e arsimit zyrtar. "Kanë kaluar gati tre dekada që kur u botua fjalori i fundit serbisht-shqip i kësaj madhësie. Të bindur se barriera gjuhësore është barierë jo vetëm që flitet, por edhe një barrierë mendore e mirëkuptimit në mes të njerëzve në Kosovë, ne kemi vendosur t'u sigurojmë atyre atë që politikat zyrtare nuk e ofrojnë: një fjalor i çasshëm, me cilësi të lartë dhe të lehtë për t'u përdorur, me fjalë që ata dëgjojnë çdo ditë në rrethinat e tyre. " shpjegon Veljko Samargjiq nga organizata "Qendra për Nisma Sociale", i cila ka punuar në zhvillimin e fjalorit. Nevoja për zhvillimin e fjalorit u përmend edhe në hulumtimin e kryer përgjatë vitit 2014 dhe 2015 nga Zyra e Komisionerit të Gjuhëve. Fjalori është menduar kryesisht për zyrtarët e përkthimit, por edhe nga grupet e tjera të interesit. "Mendoj se ky fjalor, në një farë mënyre, tashmë është pjesë e bashkësisë akademike. Autorët që punojnë në fjalor janë profesorë të shquar nga Prishtina dhe Beogradi dhe ekspertë të leksikografisë, kështu që unë besoj se kjo është mënyra më e mirë për komunitetin akademik të përfshihet tërësisht në këtë proces. Kjo do të ndihmojë në promovimin e vetë fjalorit midis ekspertëve, "thotë Slavisha Mladenoviq, Komisioneri për Gjuhët. " Ne duhet të mirëpresim shumëllojshmërinë e shoqërisë" Dhurata Prokshi është përkthyese në një gjykatë në Mitrovicën e Veriut dhe gjithashtu është një mësuese e gjuhës serbe dhe shqipe. Ajo beson se fjalori duhet të përdoret nga të gjithë ata që merren me gjuhë, veçanërisht në institucione. Ajo thekson domosdoshmërinë e respektimit të Ligjit për gjuhët zyrtare dhe rikujton se ka vështirësi të shumta me të cilat përballen përkthyesit në vendin e punës. “Eshtë e nevojshme të rritet numri i ekspertëve brenda institucioneve që janë kyq ose që kanë më shumë kontakte me qytetarët. Së dyti, duhet të bëhen investime në zgjerimin e burimeve njerëzore, në mënyrë që përkthyesit që tashmë janë duke punuar dhe ata që kanë pak njohuri dhe gatishmëri për t'u përfshirë në institucione, të kenë mundësinë t’a bëjnë këtë, "shpjegon Dhurata Prokshi. "Sidoqoftë, punët që ndërlidhen me gjuhët dhe përkthimi janë diçka që duhet kuptuar jo vetëm në fushën e ndihmës teknike, por si diçka që duhet të investohen vazhdimisht në të. Gjuha nuk është vetëm një formë, ajo përcaktohet veçanërisht nga tema në të cilën duhet të përkthehet ose punohet në të, ”thotë Prokshi. Ajo thekson përfitimet e të njohurit të dy gjuhët: "Kur i njihni të dy gjuhët, ju keni qasje më të lehtë në të gjitha shërbimet që ju nevojiten. Mund të fitoni një bashkëpunim që nuk do të ishte i mundur me njohjen e vetëm njërës prej këtyre gjuhëve, të cilat janë zyrtare në Kosovë. Unë mendoj se mund të ketë gjithashtu një ndikim i madh në marrëdhëniet ndërnjerëzore, nëse e kuptojmë gjuhën e njëri-tjetrit. Duhet të punohet në një nivel pak më të mirë, jo vetëm sipërfaqësisht, por për të punuar në ndryshimin e thelbit, që njerëzit të kuptojnë se gjuha është diçka që është pjesë e një identiteti, diçka që ne si qytetarë të shekullit 21 duhet t’a respektojmë dhe të mirëpresim shumëllojshmërinë e shoqërisë sonë, e gjithë kjo duke respektuar gjuhët ". Mësimi i shqipes ose serbishtes në shkolla është ende një tabu. Nuk ka gjasa që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ekzistojnë dy sisteme arsimore që funksionojnë në Kosovë, një sipas ligjeve të Kosovës, tjetri sipas ligjeve të Serbisë,e asnjëri nuk njihet nga tjetri. "Ne nuk kemi mësuar gjuhët e fqinjëve tanë për tridhjetë vjet dhe ky është një përvjetor i hidhur- thotë Samargjiq. As Mladenoviq nuk është optimist për futjen e serbishtes dhe shqipes në arsimin zyrtar: "Të gjithë përmendin më shumë vështirësi në proces sesa përfitime që procesi mund të sjellë. Ka shumë zëra që pretendojnë se koha nuk është e duhur për këtë. Megjithatë, unë besoj se është një imperativ absolute që diçka e tillë të ndodhë dhe se do të ndodh ose në një afat të shkurtër ose në një afat më të gjatë kur krijohen rrethanat ". Sipas një ankete të kryer nga Qendra për Nisma Sociale me mbështetjen e IOM dhe Ambasadës Britanike, vetëm 5 përqind e serbëve të anketuar të Kosovës thanë se flisin shqip. Duke pasur parasysh që vetëm 2 përqind e të rinjve serbë nën moshën 18 vjeç thonë se flasin shqip dhe se nuk ka pasur të anketuar të tillë fare në veri të Kosovës, është e qartë se ky numër i përgjithshëm i shqipfolësve do të bjerë me kalimin e kohës. Sondazhi tregon një situatë pak më të mirë në komunitetin shqiptar. Nga të gjithë shqiptarët e intervistuar, 18 përqind flasin serbisht, 49 përqind pjesërisht e kuptojnë atë dhe 33 përqind thonë se nuk e kuptojnë fare serbishten. Për sa i përket gatishmërisë për të mësuar gjuhë, 71 përqind e atyre që janë anketuar nga komuniteti serb do të donin të dinin shqip, ndërsa afër gjysma e të rinjve shqiptarë do të donin të dinin serbisht. Samargjiq shpjegon se hulumtimi ka dhënë një vështrim më pozitive të mësimit zgjedhor sesa të mësimit zyrtar të gjuhës. "Kur kjo nismë shikohet si një detyrim, pra, nëse mësimi i gjuhës së një mjedisi prezantohet si një lëndë shkollore e detyrueshme, atëherë ekziston rezistencë, frikë nga humbja e identitetit". Për këtë arsye, ai mendon se gjendja aktuale është më e favorshme për programet opsionale/zgjedhore, siç janë kurset e gjuhëve në shkolla ose institucione të tjera pa prezantimin e tyre zyrtar. Ai shpjegon se platforma e mësimit të gjuhës shqipe dhe serbe "VocUp" u vizitua nga rreth 24,000 njerëz dhe se 170,000 njerëz i shohin postimet e tyre në baza mujore, që është, sipas tij, 15% e përdoruesve të Internetit në Kosovë. "Ata që informohen për Kosovën vetëm përmes mediave mund të habiten nga fakti se aktualisht 600 persona, kryesisht të rinj, po mësojnë shqip dhe serbisht nëpër tërë Kosovën dhe që, me ftesë të IOM dhe Ambasadës Britanike, rreth 900 njerëz kanë bërë kërkesë për këtë kurs. Në Prishtinë, rreth 350 njerëz po mësojnë serbisht. Duhet pranuar se ky është një nga lajmet e pakëta të mira nga Kosova, "thotë Samargjiq. Ai shton se këto të dhëna nuk pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të Kosovës konfliktuoze por gjithashtu tregojnë se këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme pa u respektuar ligji. “Ky lajm i mirë është nën hijen e mospërfilljes së papranueshme të Ligjit për gjuhët dhe të drejtat gjuhësore për të cilat komunitetet jo-shumicë duhet të insistojnë. Ne thjesht mendojmë se këto janë dy procese dhe ato duhet t’a ndihmojnë dhe jo t’a kufizojnë njëra-tjetrën, ”shpjegon Samargjiq. Cilat janë hapat e ardhshëm të Komisionerit për Gjuhët? Hapat e ardhshëm në punën e Zyrës së Komisionerit për Gjuhët mund të ndahen në tre kategori themelore: forcimi i aftësisë së administratës për të zbatuar më mirë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mund të ndahet në disa aktivitete të rëndësishme, të tilla si :vendosja e një shërbimi përkthimi në Zyrën e Kryeministrit, forcimi i aftësive të zyrtarëve, trajnimi i tyre, pajisja me softuer siç është ndër të tjerash edhe ky fjalor, pra krijimi i VocUp për administrim dhe të ngjashme. Element tjetër thelbësor është arsimi, i cili duhet të zgjidhë problemet e tregut të punës, por edhe me njohuri të përgjithshme të gjuhës së mjedisit, i cili është një element shumë i rëndësishëm në komunikimin midis komuniteteve dhe së fundi ngritja e vetëdijësimit të publikut për përfitimet e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, mekanizmat e ankesave, mekanizmat e zgjidhjes së problemeve etj. Ka shumë aktivitete të tjera që ne nuk mund t'i parashohim në këtë kohë dhe që janë ad hoc, bazuar në ankesat që Zyra e Komisionerit merr nga qytetarët.