image

Thirrje per aplikim: Grate ne politike – Besimi, Ndikimi dhe Lidershipi efektiv

Kategori: Thirrje të hapura
Organizatat: UNMIK
Etiketat:

Historiku: Si akterë dhe partnerë kryesorë globalë në zbatimin e plotë të agjendës për gratë, për paqen dhe për sigurinë (GPS), Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht promovojnë barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe të drejtat e grave në përputhje me rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB-së dhe nëntë rezolutat e tjera për GPS. Konkluzionet e Këshillit të BE-së për gratë, për paqen dhe për sigurinë të miratuara nga Këshilli më 10 dhjetor 2018, theksojnë se zbatimi i agjendës për GPS mund të arrihet vetëm me "integrimin e një perspektive gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në të gjitha kontekstet, nga analiza e konflikteve deri në veprimet e mëvonshme, përfshirë lehtësimin e dialogut, ndërmjetësimin, negociatat për paqen dhe mjetet e tjera për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. " Pothuajse njëzet vjet pas miratimit të Rezolutës së KSKB 1325, gratë në Kosovë mbesin të papërfaqësuara në organet vendimmarrëse në nivelin qendror dhe lokal, pavarësisht pranisë së rrjeteve të krijuara të grave, grave lidere shumë efektive dhe një kornize legjislative të avancuar që detyron legjislativin, ekzekutivin dhe organet gjyqësore të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të siguruar përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave. Ndërsa kuotat e 30 përqindëshit sipas ligjeve zgjedhore përmbushen në Parlamentin e Kosovës dhe asambletë komunale, kërkesa për pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave sipas Ligjit për barazi gjinore nuk është përmbushur. Shumë pak gra mbajnë pozicione vendimmarrëse në partitë politike. Përfaqësimi i grave në qeveri mbetet nën kërkesën ligjore prej 50 për qind. Në nivelin lokal, megjithëse ka pasur një rritje të përqindjes në përfaqësimin e grave në asambletë komunale, nuk ka gra që mbajnë poste të kryetarit të komunës. Kjo u theksua edhe në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2019, së bashku me mungesën e zbatimit të kornizës ligjore përkatëse. Për më tepër, pjesëmarrja e kufizuar e grave në negociatat aktuale politike në rajonin e gjerë, përfshirë Kosovën, është theksuar si shqetësim nga BE-në si dhe në raportet e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Përshkrimi i projektit: Ky projekt përbëhet nga tri komponentë të ndryshëm me fokus që grave t’u mundësohet të reflektojnë për përvojat e tyre, të shqyrtohen mënyrat e sjelljes së tyre të cilat mund të jenë pengesë për pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën publike në Kosovë, dhe këto të dallohen nga kufizimet strukturore në ushtrimin e lidershipit të tyre në mënyrë më të plotë. -Së pari, trajnim pesëditor për lidershipin për 15 gra lidere dhe influencuese do të mbahet në Prishtinë ndërmjet 9-13 dhjetor 2019. Do të bashkojë elemente të vetëzbulimit personal, shkathtësi praktike dhe strategji për lidership për të zotëruar sfidat në vendin e punës dhe në jetën publike (duke përfshirë partitë politike dhe zyrat). Gjatë trajnimit do të krijohet mësimnxënie e personalizuar dhe një udhërrëfyes për çdo pjesëmarrës, që do të përcillet me seanca udhëzuese. Seancat udhëzuese do të ofrohen për të gjitha gratë individualisht. -Së dyti, 15 gratë e përzgjedhura do të marrin pjesë në një ngjarje të rrjetëzimit që do të organizohet në Bruksel (në shkurt). Kjo vizitë studimore dyditore do të jetë një mundësi për gratë lidere për t’u takuar me gra të tjera të spikatura nga institucionet e BE-së (Komisioni, Parlamenti) dhe Lobi Evropian i Grave. Ky rrjetëzim do t’ju mundësojë grave të vendosin kontakte dhe bashkëpunim të ardhshëm në fushën e fuqizimit të grave dhe të barazisë gjinore. -Së treti, në Prishtinë, në shkurt të vitit 2019, do të mbahet një punëtori mbi “Qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë” me fokus të veçantë në procese politike gjithëpërfshirëse dhe me përfaqësim gjinor. Në këtë punëtori pjesëmarrësit do të diskutojnë se si të sigurojnë që parimet e qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme të avancojnë mbi retorikën, qoftë në institucionet qeveritare, brenda partive politike, në organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe në sferat tjera të jetës publike. Lexo më shumë në:https://unmik.unmissions.org/sq/thirrje-p%C3%ABr-aplikim-grat%C3%AB-n%C3%AB-politik%C3%AB-%E2%80%93-besimi-ndikimi-dhe-lidershipi-efektiv?fbclid=IwAR3KMBtuA7cO7GNwP2R8uAfWV-nBF6ECnE-L8kfKsx9PRqagX_RFPiuXohU