Personat e zhdukur të vendosen në fokusin e institucioneve të vendit

Kategori: Lajme
Organizatat: HLC
Etiketat:

Edhe për më shumë se dy dekada familjet e personave të zhdukur nuk kanë mundur të realizojnë të drejtat e tyre që të dinë të vërtetën mbi rrethanat e zhdukjes së anëtarëve të tyre, nuk e dinë se ku gjenden trupat e më të dashurve të tyre si dhe nuk kanë gjetur drejtësi. Procesi i zbulimit të lokacioneve të varrezave te fshehta dhe eshumimi i trupave nga to ka pësuar një stagnim të theksuar viteve të fundit.  

Prandaj, me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) apelon tek autoritetet vendore që ta trajtojnë me prioritet zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në këtë mënyrë të realizojë të drejtën e familjeve të tyre që të mësojnë të vërtetën mbi atë se çka ka ndodhur me të dashurit e tyre. Gjithashtu, edhe organet e ndjekjes dhe të drejtësisë duhet t’u japin prioritet hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit që ndërlidhen me rastet e personave të zhdukur.  

Për nder dhe në kujtim të personave të zhdukur FDHK ju fton që ta shikoni video-animacionin e parë rreth ngjarjeve të luftës në Kosovë.
Pas përfundimit të ligjëratave publike ‘Sot, 20 vite më parë’, FDHK e ka parë të rëndësishme krijimin e video-animacioneve që përmes tyre t’i kujtojmë ngjarjet dhe viktimat si pasojë e luftës.  

Sot, FDHK e sjell të vizualizuar ngjarjen e zhdukjes së 20 burrave në fshatin Goden, dhe me këtë video, fillon lansimi i animacioneve të prodhuara në nderim të viktimave dhe familjeve të tyre.

Video-animacionet janë krijuar duke u bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve okularë dhe familjarëve të viktimave, në dokumentacionin nga gjykatat dhe në burime tjera.

Klikoni këtu për të shikuar videon.