image

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bënë thirrje për pjesëmarrje kuptimplote të grave në dialogun Prishtinë-Beograd

Kategori: Lajme
Organizatat: Kosova Women's Network , Kosova Women for Women , French Embassy , YIHR KS , Ambasada Britanike , Ambasada Suedeze , Ambasada Finlandeze në Kosovë , EUSR , Kvinna till Kvinna , Jahjaga Foundation , NGO Women's Right , UNDCO , UNFPA , EULEX , UN Women , UNMIK , UNHCR , EU , UNDP , UN Habitat , IOM
Etiketat:

Ne, anëtarët e poshtëshënuar të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, kërkojmë që të sigurohet pjesëmarrje kuptimplote e grave në delegacionin e Prishtinës, që merr pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd për normalizim të marrëdhënieve, si dhe në grupet punuese të krijuara për të informuar dialogun.
 
Që nga miratimi i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325, komuniteti ndërkombëtar ka punuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për  mungesën e përfaqësimit të grave në përpjekjet globale për sigurim të paqes, duke u zotuar dhe duke u bërë thirrje të tjerëve për përfshirjen e grave në arritjen e paqes. Mungesa e përfaqësimit të grave është edhe arsyeja pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka prioritizuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në proceset e paqes në Rezolutën 1325 (2000) si dhe në rezolutat pasuese.

Fatkeqësisht, këto thirrje nuk kanë marr përgjigje të pritura nga qeveritë, siç edhe është rasti me dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve i cili deri më tani ka mbetur një proces i “verbër” ndaj barazisë gjinore.

Ligji për Barazi Gjinore (Nr. 05/L-020) bënë thirrje për përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave në pozitat vendimmarrëse në nivele ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Gjithashtu, pjesëmarrja e grave në proceset e negocimit, paqes dhe pajtimit është në mesin e objektivave kryesore të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024.

Institucionet e Kosovës duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre të deritanishme për mbajtjen e përgjegjësive të tyre në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, pasi që gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara në pozitat e larta politike, por edhe në negociata dhe në dialogun me Beogradin, përfshirë edhe në cilësinë e ekspertëve teknik, si dhe në konsultimet publike në lidhje me përmbajtjen e negociatave dhe dialogut. Gratë në Kosovë nuk janë spektatore pasive apo vetëm viktima apo shënjestra.

Historikisht kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rolin e agjenteve aktive në proceset e ndërtimit të paqes, politikë-bërjes dhe rimëkëmbjes.

Lexo më shumë